Me se merresh? - CV-ja e shkurtër, me dy fjalë

42-26601817Shekspiri ka thënë, "e gjithë bota është një skenë". Çfarë kuptimi ka kjo për ty? Kur bashkëbiseduesi të pyet se me çfarë merresh, ai/ajo po të vlerëson për të kuptuar nëse ti je një person me të cilin ia vlen të kesh marrëdhënie shoqërore ose jo. Në këtë moment ai/ajo, në mënyrë krejt instinktive po ndërton një skenar në kokën e vet, në të cilin ti mund të zësh ose rolin kryesor ose rolin e figurantit. A je përgatitur për audicionin që po zhvillohet?

Aktorët përgatisin monologë për audicion. Këngëtarët përgatisin këngë për audicion. Edhe ti duhet të jesh gati për audcion por jo me një material çfarëdo. Artistët e skenës e dinë se jo të gjithë monologët ose këngët janë të përshtatshme për të gjitha audicionet. Në të njëjtën mënyrë edhe përgjigja ndaj pyetjes se "me çfarë merresh?" nuk duhet të jetë e njëjta për të gjithë. Populli thotë, "vërja kapelen sipas kokës." Pasi t'i kesh bërë të tëra matjet e duhura, fol për atë që unë e quaj CV e shkurtër, me dy fjalë .

Duhet të kesh parasysh këta tre faktorë para se të përgjigjesh nëse do që bashkëbiseduesi të flirtojë me ty:
  • Duhet patjetër të krijosh përshtypjen e personit, me të cilin ai/ajo mund të bjerë në dashuri. 
  • Duhet të tregosh vetëbesim dhe entuziazëm për jetën. 
  • Përgjigja duhet të përmbajë një element që të shërbejë si spunto për të zgjatur bisedën.

E para: "Unë jam ai mashkull/femër me të cilin ti kërkon të biesh në dashuri."

Prezantimi i profesionit ose zanatit duhet bërë në mënyrë të tillë që t'i shkojë për shtat bashkëbiseduesit. Për shembull, nëse bashkëbiseduesi është në kërkim të dikujt me status të lartë profesional, atëherë bëje profesionin tënd që të duket i rëndësishëm. Nëse personi tjetër kërkon dikë që të respektojë liritë dhe të drejtat e tyre, atëherë ti nxirr në pah aspekte nga puna jote që kanë të bëjnë me lirinë individuale. Është i fiksuar pas punës? Jepi rëndësi faktit se sa i dedikuar je ti ndaj punës që bën dhe se sa kohë shpenzon në punë. Kur t'i kesh bërë mirë të gjitha matjet, përpiqu t'i gjesh kapelen që i përshtatet atij/asaj.

E dyta: "Unë e dashuroj punën që bëj."

Të gjithëve u pëlqejnë njerëzit entuziastë dhe me besim në vetvete.  Femrat, në mënyrë të veçantë, e vlerësojnë shumë një mashkull që ka besim në vetvete.

Një herë po shkruaja një artikull për një revistë meshkujsh për cilësitë që femrat kërkojnë tek një mashkull. Në vend që t'i drejtohesha psikoterapeutëve dhe studimeve, unë pyeta mikeshat e mia, "çfarë të pëlqen më shumë tek një mashkull?" Ato u përgjigjën kështu: padyshim që cilësia kryesore më e rëndësishme ishte vetëbesimi. "Unë dua që burri im të ketë besim në vetvete," tha njëra prej mikeshave të mia. " Ai mund të jetë edhe gjel deti, por nëse ka vetëbesim, për mua është në rregull."

Edhe burrave u pëlqejnë femrat që kanë besim në vetvete. Kur miku im Fill del me ndonjë vajzë, unë zakonisht e pyes, "Hë, si ishte? Të pëlqeu?" Fill, mashkulli tipik fjalëpakë, kur diskuton për marrëdhënie zakonisht murmurit, "Ëh, çka."

"Fill, të pëlqeu apo jo?"
"Epo, mirë ishte, me siguri që nuk do takohemi më"
"E pse jo?"
"Epo, ajo sikur s'i kishte në terezi gjërat."

Me fjalë të tjera, ajo nuk kishte një ide të qartë për jetën e saj. Meshkujt shpesh kanë të tilla kritika për disa femra. Prandaj, kur të pyesin "Me se merresh?", përgjigja jote duhet të rrezatojë kënaqësi dhe vetëbesim në punën që bën.

E treta: "Vazhdojmë bisedën"

Ta zëmë se takove dashurinë e jetës tënde dhe sapo i the që je avokat ose kirurg. Ashtu? Shumë mirë! Po tani? Çfarë duhet të thotë ai/ajo tani? Përgjigja jote e la pa fjalë. Çfarë pyetjeje mund t'i bësh një kirurgu? "Ëhhhh...a ia ke hapur barkun ndonjërit kohët e fundit?"

Mos u mjafto asnjëherë vetëm me thënien e profesionit. Hidhi ndonjë "gremç" pas të cilit të mund të kapet dhe biseda të mos vdesë që pa filluar.

Je avokat? Shumë mirë. Në vend që të thuash "jam avokat", thuaj "unë punoj si avokat në një firmë që specializohet në çështje të ligjit të punës. Në fakt, tani po merrem me një çështje në të cilën një grua u shkarkua nga puna pse mbeti shtatzënë. Tani po që ke se për çfarë të bisedosh. Nëse nuk krijon kushte të përshtatshme bisede, bashkëbiseduesi mund të largohet në kërkim të dikujt tjetër që do ta bëjë të ndihet pak më të ditur.

Herët a vonë, i panjohuri do të të pyesë se nga je. Mos u kufizo vetëm me emrin e vendit nga vjen. Përgatit diçka interesante për vendlindjen tënde.

P.sh. unë jam nga Uashington D.C. Kur më pyesin se nga jam, unë u them se jam rritur në një qytet ku ka 7 femra për çdo mashkull (për shkak të nëpunëseve të shtetit). Nëse përballë meje ndodhet një person më interesant, atëherë unë i them se Uashingtoni është projektuar nga i njëjti urbanist që projektoi Parisin. Kjo e zgjeron tematikën e bisedës duke kaluar nga Uashingtoni, tek Parisi, tek urbanistika. Sa më shumë material bisede i jep presë tënde, aq më shumë rritet mundësia për të vazhduar bisedën me të.

Teknikë: CV e shkurtër, me dy fjalë 
Cilido qoftë profesioni apo zanati yt, mos e katranos atë që mund të jetë përgjigja më e rëndësishme e jetës tënde, atë të pyetjes "Me çfarë merresh?".

Përgatit një përgjigje që t'i përshatet interesit të bashkëbiseduesit, të jetë intriguese dhe interesante, si dhe të shërbejë si gremç për ta mbajtur bisedën gjallë.
Related Posts with Thumbnails
blog comments powered by Disqus
Respektoni punën e të tjerëve.
Mos i vidhni artikujt e youalbania.com

Nëse doni të mbushni faqen tuaj me artikuj rreth seksit dhe dashurisë, bëjeni këtë nëpërmjet punës tuaj personale dhe jo duke vjedhur.