Të thuash të vërtetën

couple_talkingNjë nga vështirësitë më të mëdha që hasin njerëzit për ndërtimin e marrëdhënieve të suksesshme është mungesa e transparencës në shprehjen e ndjenjave.

Shpesh çiftet nuk flasin hapur dhe si rezultat ata akumulojnë zemërim, dhembje dhe zhgënjim, i cili pastaj del në sipërfaqe në mënyra nga më të shëmtuarat.

Sapo të ndjesh se diçka të ka ngelur peng, d.m.th nuk është thënë, gjej rastin më të parë për ta diskutuar me partnerin, natyrisht në mënyrë sa më të sjellshme. Sa shpesh ndodh që njerëzit lenë që çështje fare të vogla të zmadhohen e zmadhohen deri sa bëhen të pakapërcyeshme? Unë të këshilloj që ato çështje t'i zgjidhësh një orë e më parë e të mos lësh që të kthehen në probleme serioze.
Ja disa ide se si mund të bëhet kjo gjë:

1. Në fillim qartësohu me veten për atë çka ndjen dhe çka kërkon. Gjej një mënyrë për tu qetësuar, ik fshihu në banjë po deshe. Merr frymë thellë dhe gjej atë zërin brenda teje që të thotë se çfarë po ndjen.

2. Pyete partnerin nëse ka 5 minuta kohë për një bisedë pa shkëputje për të zgjidhur një çështje. Pyete partnerin nëse është i gatshëm të të dëgjojë deri sa të mbarosh dhe thuaji atij që edhe ti je e gatshme të bësh të njëjtën gjë. Nëse të dy ndiheni të sigurt se nuk do ndërpriteni gjatë kohës që flisni, atëherë ju do të jeni me të vërtetë në gjendje që ta dëgjoni njeri tjetrin.

3. Thuaje atë që do të thuash në një mënyrë të tillë që do të dëgjohet. Gjithmonë filloje bisedën me atë që ndjen në lidhje me problemin që të shqetëson. Nëse fillon direkt me akuza kundrejt partnerit, e vetmja gjë që do të arrish është ose sherri, ose njëri nga ju të dy do të tërhiqet dhe do të mbyllet në vetvete.

4. Dëgjo dhe respektoje partnerin për atë që është dhe për atë që ai/ajo dëshiron. Ndoshta mund të mos jesh dakord me atë që partneri ka për të thënë, por për të krijuar besimin e nevojshëm për të folur hapur, duhet edhe të mësosh të dëgjosh me zemër të hapur pa u hedhur në mbrojtje.

Qëndro i/e hapur dhe gjej mënyrat që ju shkojnë të dyve për shtat. Duke folur e duke dëgjuar hapur, me mirëkuptim fillojnë të hapen dyert për mundësi të reja dhe për shumë, shumë dashuri. Mes jush krijohet një ndjesi butësie dhe konfliktet bëhen më të thjeshta për tu zgjidhur.

Të jesh i/e hapur do të thotë të mos e paragjykosh tjetrin, t'i kujtosh vetes se sa shumë e do partnerin tënd edhe pse për momentin je i/e zemëruar ose i/e zhgënjyer. Të jesh i hapur gjatë një konflikti është pa dyshim gjëja më e vështirë. Edhe nëse hedh hapa fare të vegjël, do të shikosh se si marrëdhënia juaj do të rritet.

Këto mendime kanë bërë mrekulli në marrëdhënien time dhe shpresoj që e njëjta gjë të ndodhë edhe me marrëdhënien tënde.
Related Posts with Thumbnails
blog comments powered by Disqus
Respektoni punën e të tjerëve.
Mos i vidhni artikujt e youalbania.com

Nëse doni të mbushni faqen tuaj me artikuj rreth seksit dhe dashurisë, bëjeni këtë nëpërmjet punës tuaj personale dhe jo duke vjedhur.