Fjalët kyçe - temat më interesante

IS579-058Kur ke përpara teje një person tërheqës dhe nuk di se për çfarë të flasësh,  krijohet një situatë aq e sikletshme sa s'ka ku të vejë më. Dhe si për ta përkeqësuar situatën, në vend që të nisësh një temë interesante, fillon ca biseda pa bereqet që nuk kanë askurrëfarë vlere.

Sikur gjërat të ishin më të thjeshta dhe njerëzit të thoshin ato që mendojnë, atëherë biseda do të ishte pak-a-shumë kështu:
"E di si është puna? Ti mua më pëlqen. Shpresoj që edhe unë të të pëlqej ty. Ja, jemi duke folur për vogëlsira, megjithatë unë do kisha shumë dëshirë që biseda jonë të ishte më interesante, më kuptimplotë. Për çfarë ke dëshirë të flasim?

Mirëpo flirtimi nuk është i thjeshtë dhe sinqeriteti i tepruar që në fillim nuk të shpie asgjëkundi. Për këtë arsye unë kam shpikur një teknikë fare të thjeshtë me anë të së cilës mund të prekësh pikat e dobta të bashkëbiseduesit. Në bisedë e sipër përpiqu të kapësh nga ligjërata e tjetrit ndonjë element të veçantë që tregon interesim ose shqetësim. Diçka që mund të përsëritet më shpesh ose që duket se ngjall ndonjë emocion të veçantë tek ai/ajo. Kapu pas asaj fjale dhe mbahu fort pasi ajo mund të jetë çelësi drejt zemrës së tij/saj.

Të marrim një situatë hipotetike në të cilën krejt papritmas fillon një shi i dendur. Vrapon për tek kafeneja më e afërt. Shkundesh nga uji që të ka lagur dhe gjatë kohës që ulesh në një tavolinë vë re se pranë teje ndodhet një vajzë tepër tërheqëse. Pastron fytin dhe provon fatin. "Më duket se paska për të rënë goxha shi?
Ajo kthehet nga ty dhe çehren e ka pozitive. "Ashtu duket."
Ti gjen rastin për të thënë ndonjë fjalë më shumë. "Ëhhhh, a vjen shpesh këtu?"
Vajza të shikon paksa me habi, megjithatë mbetet e interesuar. "Jo, jo shumë shpesh." Ajo buzëqesh. "Ndalova për të pirë një kafe sa të pushojë shiu."
Ti vazhdon më tutje, "Po pra, po bie me gjyma aty jashtë." Edhe pse kjo e fundit s'është ndonjë fjali e goditur, prapë së prapi e zgjat bisedën.
"Epo," ta kthen vajza, "të paktën i bën mirë bimëve."

Të dy ktheni kokën nga dritarja, pastaj drejt njeri tjetrit. Ti buzëqesh, ajo ta kthen me zor. Asnjëri prej jush nuk ka më se ç'të thotë. Secili përqendrohet tek filxhani që ka përpara. Fundi i një flirtimi të mbetur në tentativë. Ta marrë dreqi! Biseda filloi me këmbë të mbarë. Vajza buzëqeshi dhe dukej mjaft pozitive. Mirëpo kur erdhi koha që të liheshin vogëlsirat dhe të kalohej në një temë më interesante, ty ta hëngri macja gjuhën.

Ja një pyetje rrufe. Në fillimin e bisedës vajza tha një fjalë pas së cilës ti mund ta kishe shfrytëzuar për të kaluar drejt e tek temat interesante. A e kape? Përgjigja: Fjala "bimët". Le t'i kthehemi edhe një herë bisedës së shiut. Pak para se t'i të mbyteshe me duart e tua, vajza të dha një mundësi (bimët), të cilën gjuetari profesionist nuk do ta kishte humbur kurrsesi. Shiko, ka shumë mundësi që ti nuk je në gjendje të dallosh dot as karafilin nga trëndafili, megjithatë në këtë rast është e qartë që bimët janë pjesë e jetës së vajzës, në të kundërt ajo nuk do ta kishte përdorur atë fjalë. Në mënyrë indirekte ajo po të thoshte që tema e saj e preferuar janë bimët. Kështu që fol për bimët.

Fjalët kyçe 
Asnjëherë nuk ke për të folur për vogëlsira nëse arrin të kapësh fjalët kyçe. Kap ndonjë fjalë të pazakontë, ajo është gjurma jote. Mbille dhe pastaj shikoje tek çel një bisedë e paharrueshme.


Related Posts with Thumbnails
blog comments powered by Disqus
Respektoni punën e të tjerëve.
Mos i vidhni artikujt e youalbania.com

Nëse doni të mbushni faqen tuaj me artikuj rreth seksit dhe dashurisë, bëjeni këtë nëpërmjet punës tuaj personale dhe jo duke vjedhur.