Madhësia e penisit, a ka rëndësi?

Shumë djem e vënë në dyshim madhësinë e penisit të tyre. Kjo është një ndjenjë e zakonshme dhe normale, sidomos kur nuk je seksualisht aktiv. Madhësia e penisit të një njeriu është më se normale për kryerjen e funksioneve të ndryshme si p.sh. kënaqësi seksuale, riprodhim dhe urinim (por këtë të fundit nuk e ke dhe aq problem, apo jo?).
Për një gjë meshkujt duhet të jenë të qartë. Madhësia e penisit nuk ka lidhje me kënaqësinë ose rendimentin seksual. Rendimenti është aftësia për të arritur dhe mbajtur një ereksion (ngrehje) ose për t’i dhënë kënaqësi vetes dhe partneres me ose pa ereksion. Rendimenti nuk varet nga madhësia. Ajo varet nga muskujt dhe ushqimi me gjak i organit riprodhues.
 
Në të vërtetë, kënaqësia seksuale varet nga gjendja psikike e njeriut, respekti që tregon ndaj partnerit dhe respekti që tregon ndaj vetes. Gjatë aktit seksual hapësira boshe e vaginës nuk është as shumë e madhe dhe as shumë e vogël. Kjo për arsye se ajo në të vërtetë është thjesht një hapësirë e rrethuar nga muskuj, të cilët i përshtaten më së miri shumicës së penisëve.

Por ka edhe shumë mënyra të tjera për të shprehur seksualitetin përveç aktit seksual. Prekjet dhe akti seksual mund të realizohen nëpërmjet shumë pozicioneve, metodave, këndeve, intensiteteve, etj, të cilat japin ndjesi të ndryshme dhe mund të sjellin kënaqësi të ndryshme. Variacioni dhe eksperimentet e bëjnë ndjesinë e të bërit seks më të larmishme se ndryshimi i madhësisë së penisit. Nëse ke dëshirë që të rrisësh kënaqësinë seksuale, ose të ndihesh i përmbushur nëpërmjet eksperiencave seksuale, atëherë eksperimento ose fol me një njeri të besueshëm.

Nëse je ende i shqetësuar për madhësinë e penisit tënd, atëherë fol me mjekun androlog. Nuk duhet të të vijë turp që të bësh pyetje që kanë lidhje me trupin. Gjithsecili ka një ritëm të vetin zhvillimi. Por nëse ti ke shqetësime në lidhje me ritmin tënd të zhvillimit, p.sh nëse ti ndjen se me penisin ose testikujt e tu ka diçka që nuk shkon, nuk duhet të të vijë në asnjë mënyrë turp që të bisedosh me mjekun. Mos e harro këtë thënie “nuk ka rëndësi sa të gjatë e ke lapsin, rëndësi ka si e shkruan emrin tënd”. Ose këtë tjetrën “magjinë s’e bën shkopi, e bën magjistari”.

Madhësia e penisit sipas gjenetikës.
Madhësia e penisit varet nga disa faktorë, të cilët quhen tipare gjenetike dhe që i ke trashëguar nga prindërit e tu. Nuk mund të bësh asgjë për të rritur ose për zvogëluar madhësinë e penisit. Ai do të shndërrohet në formën e tij të pjekur gjatë kohës që shndërrohesh nga djalë në burrë, nëpërmjet procesit të pubertetit. Tek shumica e djemve procesi i pubertetit fillon rreth moshës 10 - 14 vjeç, megjithatë disave u fillon më vonë. Në fillim rriten testikujt, pastaj fillojnë të dalin qime. Më vonë fillon rritja e penisit. Në fillim për nga gjatësia, pastaj për nga trashësia. Pavarësisht luhatjeve normale, madhësia përfundimtare e penisit arrihet pas 4 deri në 6 vjet pasi fillojnë të rriten testikujt.

Ky proces kaq i zakonshëm i rritjes së penisit mund të jetë shqetësuese për shumë meshkuj. Duke qenë se janë testikujt ato që zmadhohen në fillim, shumë meshkuj shqetësohen, pasi kujtojnë se e kanë penisin shumë të vogël.

Nëse je mbipeshë, indi dhjamor (tulet) mund ta fshehë paksa gjatësinë reale të penisit, duke krijuar përshtypjen se është më i vogël.
Disa nga djemve në klasën tënde mund t’u kenë filluar ndryshimet e pubertetit para teje, duke i bërë që të duken se kanë penis më mashkullor. Kjo gjë të mërzit. Është e vështirë që të marrësh vesh se sa i madh është penisi në gjendje të ngrehur (ereksion) kur e sheh në gjendje të lëshuar ( flacid ).

Është e vërtetë se madhësia e penisit ndryshon nga njëri mashkull tek tjetri. Ashtu si edhe me pjesët e tjera të trupit, meshkuj të ndryshëm kanë penis me madhësi të ndryshme.

Ne jetojmë në një shoqëri, e cila ushqen koncepte të gabuara, duke na bërë që të kujtojmë se një mashkull me penis më të madh bën një jetë seksuale më të mirë se sa një mashkull me penis më të vogël. Kjo vihet re në barsoleta seksuale, në komentet në televizion, në filma dhe në shumë vende të tjera. E vërteta është se penisët normalë variojnë shumë njëri nga tjetri dhe të gjithë kanë mundësi që të bëjnë seks të mirë.

Nëse ti gjatë procesit të ndryshimit dyshon për diçka që nuk shkon, atëherë shko tek mjeku dhe bëji një pyetje të drejtpërdrejtë. Pothuajse në çdo rast do të të thotë se gjithçka është në rregull.
blog comments powered by Disqus
Related Posts with Thumbnails
Respektoni punën e të tjerëve.
Mos i vidhni artikujt e youalbania.com

Nëse doni të mbushni faqen tuaj me artikuj rreth seksit dhe dashurisë, bëjeni këtë nëpërmjet punës tuaj personale dhe jo duke vjedhur.