Komunikimi trupor (gjuha e trupit)

Lëre trupin që të flasë.
Shkenca ka vërtetuar se gjuha trupit është faktor kyç për të përcaktuar nëse kontakti fillestar do të shoqërohet me një flirtim. Një nga studiuesit më të palodhur në fushën e dashurisë ishte Dr. Timoti Perper. Ai shpenzoi më shumë se dy mijë orë nëpër stolat e klubeve të natës duke këqyrur me vëmendje meshkujt, femrat dhe lëvizjet e tyre gjatë flirtimit.
Njësoj si studiuesit që vëzhgojnë, p.sh zakonet e çiftimit të brejtësve, edhe Dr. Perperi zbuloi në "laboratorin e tij të beqarëve" disa rituale që përsëriteshin gjatë flirtimit. Çdo mbrëmje ai rrinte pa lëvizur në vendin e tij duke mbajtur shënime, duke sajuar grafikë e duke hamendësuar formula se si meshkujt dhe femrat "peshkonin" njeri-tjetrin. Pastaj, sipas traditës shkencore, ai i ndau të gjitha lëvizjet që njerëzit bënin gjatë flirtimit  në pesë hapa të përcaktuar qartë.

Zbulimet e Doktor Perperit treguan se kur çiftet e sapo njohura zbatonin një renditje të caktuar lëvizjesh, ata ose largoheshin bashkë nga lokali, ose linin ndonjë takim për ndonjë ditë tjetër. Dhe kur kjo sekuencë ndërpritej, qoftë edhe pa dashje, gjithësecili shkonte për hesap të vet.

Shumë njerëz që kërkojnë lidhje romantike marrin pjesë në mësime kërcimi me shpresën për tu njohur me dikë. Ata torturohen për të mësuar salsa, cha-cha, rhumba dhe vals. Mirëpo në momentin kyç ata dështojnë tek vallëzimi më i rëndësishëm, atë që Doktori i mirë Perper e quajti "Vallëzimi i krijimit të intimitetit".

Cilët janë hapat e vallëzimit të intimitetit? Ata janë po aq të qartë dhe po aq mirë të përcaktuar sa dhe hapat e një tangoje. Ato janë lëvizjet e një-pas-njëshme që duhet të kryesh kur do të krijosh intimitet. Mësoi mirë këto pesë lëvizje sepse po të shpëtoi qoftë edhe një prej tyre "gjahu" yt do të humbasë interesin dhe do të kthehet sërish në xhunglën e beqarëve.

Vallëzimi i Intimitetit


Hapi i parë: Sinjali jo verbal. Pasi të dyja palët të jenë afruar në një distancë të përshtatshme bashkëbisedimi, njëri nga të dy bën të ditur  praninë e tij (siç u përshkrua në artikullin "Përqajsa fillestare") duke përshëndetur me kokë, duke buzëqeshur, ose duke hedhur një vështrim të gjatë.

Hapi i dytë: E folura. Njëri prej të dyve flet i pari. Mund të jetë një koment, një pyetje, nuk ka shumë rëndëri. Edhe një "ç'kemi" e thjeshtë mjafton. Në mënyrë që biseda të fillojë diçka duhet të thuhet patjetër.

Hapi i tretë: Vendosja trupore. Kjo është pjesa më interesante. Në momentin që njëri prej të dyve ka hedhur fjalën i pari, tjetri duhet të paktën të kthejë kokën nga folësi dhe t'i përgjigjet komentit ose pyetjes së tij. Nëse ai apo ajo nuk e bën një gjë të tillë me herën e parë, pak gjasa ka që folësi të tentojë sërish.

Kur dëgjuesi kthehet me butësi në drejtim të folësit, atëherë biseda mund të fillojë. Në këtë moment mund të vihet re se si gradualisht trupat e tyre rrotullohen në mënyrë të tillë që të jenë përballë njëri-tjetrit.

Kjo seri lëvizjesh të pozicionimit ballor mund të zgjasë nga disa minuta në disa orë. Sa më në mënyrë ballore të jenë vendosur personat, aq më shumë rritet intimiteti. Sa më të anuar të jenë trupat, aq më pak intimitet do të ketë mes tyre.

Hapi i katërt: Kontakti fizik. Menjëherë pas afrimit dhe pozicionimit ballor vjen kontakti fizik. Një prekje e lehtë në dorën e tij gjatë kohës që po të jep gotën ose një prekje fare e lehtë në supin e saj gjatë kohës që po thotë diçka për të qeshur. Prekja duhet të jetë e shpejtë dhe pothuajse e pandjeshme.

Reagimi ndaj prekjes së parë është faktor kyç që përcakton vazhdimin e flirtimit. Nëse ajo të heq një qime nga pulovri dhe ti ngurtësohesh si hu gardhi, kjo mund të interpretohet si refuzim. Edhe sikur reagimi i ngurtë të vijë pa dashje tashmë mund të jetë tepër vonë.

Në këtë fazë të flirtimit Dr Perper na thotë se është e pamundur të përcaktosh se kush është gjuetari dhe kush preja. Ndërkohë që kontakti i parë fizik është bërë, është pritur mirë, madje edhe është kthyer, mund të thuhet se mashkulli dhe femra do të jenë "çift", të paktën deri në fund të mbrëmjes.

Në këtë moment ndodh edhe diçka tjetër interesante. Kontakti pamor merr një kuptim tjetër. Që në vitin 1977, një studiues vërejti transformimit të kontaktit pamor tek çiftet nga një shikim i thjeshtë formal në ngulje të syve. Sytë e tyre fillojnë lundrojnë intensivisht në fytyrën, flokët, qafën, supet dhe trupin e partnerit. Udhëtimi pamor për të cilin kemi folu në artikullin "Udhëtimi me sy".

Hapi i pestë: Sinkronizimi. Hapi i fundit është ai më interesanti për tu vëzhguar. Si për të miratuar interesin e sapo zbuluar për njëri-tjetrin, çifti fillon të lëvizë në sinkronizim të plotë (bëjnë të njëjtat lëvizje).

Për shembull, mashkulli dhe femra zgjatin duart drejt gotës së tyre në të njëjtën kohë. Gjithashtu dhe vendosja e gotës përsëri në tavolinë bëhet në të njëjtën kohë. Pastaj, në mënyrë të pandërgjegjshme ata lëvizin njëkohësisht, ndjekin ritmin e muzikës njëkohësisht, kur diçka tërheq vëmendjen ata kthejnë kokën njëkohësisht, pastaj shikojnë sërish njëri-tjetrin prapë njëkohësisht.

Dr Perper shkruante: "Pasi ndodh sinkronizimi, çifti mund të rrijë në këtë gjendje pafundësisht, deri në momentin që diçka e jashtme i detyron që ta ndërpresin.”

Kohët e fundit pata kënaqësinë që të vëzhgoja një çift që ishin dukshëm shumë të dashuruar. Po haja darkë në një restorant, në një tavolinë përballë së cilës ndodhej bari. Aty ishin ulur një çift. Trupat e tyre ishin vendosur krejt përballë njëri-tjetrit, ata ishin përkulur drejt njëri-tjetrit, mend sa s’po binin. Ata buzëqeshnin dhe tundnin kokat në shenjë pohimi për çdo fjalë që u dilte nga goja. Duart e tyre herë pas here preknin njëri-tjetrin dhe lëvizjet e tyre ishin plotësisht të sinkronizuara. Ata qeshnin njëkohësisht, ata vrenjteshin njëkohësisht. Përveç se në momentet kur zhurma e jashtme ndërhynte në botën e tyre private, sytë e tyre ishin gjithë kohës të ngulitur tek partneri. Edhe atëherë, ata i kthenin kokat njëkohësisht, për ta kthyer sërish shikimin tej njëri-tjetri po njëkohësisht. Nëse dikush do t'i shikonte, patjetër që do të mendonte se ata ishin të dashuruar.

Kur po paguaja për darkën, kamerierja e vuri re që unë po vëzhgoja çiftin. Me një buzëqeshje të madhe në fytyrë, ajo tha: " Edhe unë po i shikoja. A nuk janë të lezetshëm?"
"Po" thashë unë duke buzëqeshur. " Duken që janë të dashuruar."
"Oh, jo, jo," tha ajo. "Sapo u njohën para dhjetë minutash."

Me vete mendova se të dy ata, me sa duket paskan lexuar parimet e Perperit. Ose, siç thotë një mikesha ime psikologe, "Njashtu si e ka shkrujt zoti."

Teknika 9
Zbute zemrën e bashkëbiseduesit

  1. Buzëqesh. Gjatë bisedës lëri buzët që të shprehin mirëkuptim nëpërmjet një buzëqeshjeje të lehtë.
  2. Trup i hapur. Qëndroji personit tjetër përballë me të gjithë trupin, hundë më hundë, bel më bel. Mbaji krahët hapur në një pozicion të relaksuar dhe dashamirës.
  3. Përkulu. Përkulu paksa në drejtim të bashkëbiseduesit ose qëndro në këmbë ose ulur pak më afër për të treguar se të pëlqen.
  4. Preke. Preke butësisht, madje fare aksidentalisht bashkëbiseduesin.
  5. Kontakt pamor. Përdori të katër teknikat e kontaktit pamor që kemi sqaruar në artikujt e mëparshëm.

Artikulli vazhdon këtu:Kur ti je "preja"

Related Posts with Thumbnails
blog comments powered by Disqus
Respektoni punën e të tjerëve.
Mos i vidhni artikujt e youalbania.com

Nëse doni të mbushni faqen tuaj me artikuj rreth seksit dhe dashurisë, bëjeni këtë nëpërmjet punës tuaj personale dhe jo duke vjedhur.