Pse meshkujt nuk tregohen të zellshëm për marrëdhënie serioze?


A je ndjerë ndonjëherë shumë “e lidhur” me një mashkull, sjellja e të cilit është e hutuar, e acaruar, jo serioze dhe e dhimbshme për ty? Nuk je e vetmja.

Unë mbaj mend që e kam kaluar një gjë të tillë. Unë mendoj se të gjitha femrat e kanë kaluar njëherë një situatë të tillë. Krejt të çmendura pas një mashkulli, i cili nuk tregohet dhe aq i zellshëm për një marrëdhënie serioze.

Një mashkull i cili është më shumë si lodër sesa si i vërtetë. Gjithë xixa dhe pasion, por kur vjen puna tek realiteti atë nuk e gjen.

Një mashkull që i plotëson të gjitha kushtet por që prapë së prapë nuk zë vendin e duhur në planet që ke për të ardhmen. Të duket sikur je në një përrallë që nuk bëhet asnjëherë realitet.

Më kujtohet koha kur dëshiroja thjesht të jetoja në atë përrallë. Ku ndjenjat e mia mund ta shpinin përpara marrëdhënien dhe unë të kënaqesha me thërrimet që merrja.

Më kujtohet kur ndjehesha e pashpresë pasi e kisha të pamundur që të bëja të funksiononte. Nuk e bëja dot atë që të më jepte atë që dëshiroja.

Por nuk ka asnjë arsye që kjo gjë të vazhdojë.

Unë jam një provë e gjallë. Nuk ka rëndësi ku je, ose ku ke qenë në marrëdhënien tënde. Nuk ka rëndësi sa gabime ke bërë (unë i kam bërë të gjitha). Rëndësi ka që gjithë atë pasion dhe fantazi ti mund ta kthesh në marrëdhënie reale. Nuk të duhet gjë tjetër veç nja dy këshilla, një çikë praktikë dhe një shpirt aventurier.

Këtu kam një letër nga Anisa, e cila ndodhet në një situatë të vështirë me një djalë që është më i ri se ajo. Megjithatë, ne do të shikojmë që problemi nuk qëndron tek mosha.


Ju lutem më ndihmoni!

Unë jam Anisa ndërsa i dashuri im quhet Genti. Ne kemi qenë të lidhur që në nëntor të 2008. Në fillim ai ishte dhënë pas meje. Më merrte në telefon dhe më dërgonte SMS 3-4 herë në ditë. Madje ndonjëherë më sillte edhe lule.

Unë jam më e madhe se ai. Ai është 22 ndërsa unë jam 27. Unë e kisha problem moshën ndërsa ai jo. Ai ma mbushi mendjen se ishte i pjekur dhe shumë i ëmbël. Kështu që unë e ula mburojën.

Menjëherë fillova të ndjeja ndryshime në marrëdhënie. Në fillim të Marsit ai më tha se e trembte pak fakti që ishim afruar aq shumë pasi ai nuk ndihej i sigurt, mirëpo pastaj foli me ca shokët e tij dhe ai tani e di se me mua mund të jetë i sigurt dhe tha që më donte shumë.

Edhe pse më merrte çdo ditë në telefon, unë mund ta kuptoja se diçka kishte. Takohemi vetëm një herë në javë sepse ai punon me turne të zgjatura gjatë javës. Pastaj ai nuk bënte më plane për ne të dy. Koha që duhet të ishte e jona filloi të bëhej e jona dhe e shoqërisë.

Pastaj ai u nda me mua në fillim të Majit. Ai tha se nuk kishte kohë dhe se unë meritoja më mirë. Ai tani ka marrë përsipër drejtimin e një biznesi dhe është shumë i stresuar. Si përfundim më dërgoi një mesazh ku më thoshte se po ndahej nga unë.

Edhe iu përgjigja me mesazh. I thosha se nuk duhet t’i thotë dikujt se e dashuron nëse nuk e ndjen sinqerisht. I thashë se unë e doja por mesa dukej unë atij nuk i interesoja. Sidoqoftë shpresoja që gjërat t’i shkonin mirë. Në fund i thosha “faleminderit që të paktën dhe një farë sqarimi”.

Pastaj ai më dërgoi një mesazh tjetër ku më thoshte se ai në të vërtetë më donte dhe se kishte dëshirë që gjërat të rregulloheshin dhe të zgjidheshin. Kështu që unë iu përgjigja duke i thënë se para se të më merrte në telefon, duhej të ishte i sigurt për atë që donte me të vërtetë. Ai nuk mori asnjëherë në telefon.

Pastaj një herë në javë për tre javë rresht, dërgonte mesazhe të tipit “më urren”?

Pastaj papritur, më pa një ditë. Kisha dalë me miqtë e mi. Aty ishte edhe ai. Atë natë biseduam dhe tani jemi prapë bashkë. Ai më tha se donte ta kalonte pjesën tjetër të jetës me mua dhe se unë nuk e imagjinoja dot sesa e rëndësishme isha për të.

Ai më premtoi se do të rrinte me mua në çdo moment që do t’i jepej mundësia. Mirëpo që atë natë unë se kam parë më. Më dërgon çdo ditë mesazhe ose më merr ne telefon. Më thotë “të dua”, ose “shpresoj që t’ia kesh kaluar mirë”. Puna është që sot është e Diel, ai e ka pushim, mirëpo në vend që të vinte të më takonte, ai më shkroi mesazhe për rreth një orë, megjithatë nuk tha gjë që donte të më takonte.

Unë nuk kam për ta ftuar atë për tu takuar me mua e para sepse dua që ai të më “vijë nga mbrapa” si i thonë fjalës. Dua që t’i bëj gjërat mirë por nuk di se si. A mund të më japësh ndonjë këshillë të lutem? Unë e dua dhe dëshiroj që lidhja të funksionojë. Gjithashtu dua që ai të më dëshirojë mua njësoj si në fillim.

Ndihmë
Anisa.

Menjëherë sapo lexova këtë letër, mua kujtua që edhe unë njëherë kam pasur një lidhje me një djalë 22 vjeçar ndërkohë që vetë isha goxha më e madhe.

Ajo ishte një nga periudhat më argëtuese dhe në të kënaqshme të jetës sime edhe pse pastaj përfundoi me zemër të thyer.

Sidoqoftë, thyerja e zemër erdhi në kohën e duhur. Asnjëherë nuk do të kisha mundur që të ndërtoja një marrëdhënie frytdhënëse me të si ajo që kam me burrin tim tani.

Kjo nuk ndodhi pse ai ishte shumë më i ri se unë. Në fakt nuk ishte fare prej “moshës”.

Nga lidhje të tilla ku mashkulli është shumë më i ri se femra mund të krijohen marrëdhënie shumë serioze, në të cilat të dy partnerët kanë pak a shumë të njëjtat nevoja dhe kërkesa. E tillë është për shembull martesa e Demi Mur me Ashton Kuçer.

Unë personalisht di disa çifte të martuara që kanë këtë diferencë moshe. P.sh. infermierja e mjekut tim ishte 44 vjeç dhe kishte 4 fëmijë kur u martua me burrin e saj 22 vjeçar. Një terapeute që unë njoh u martua me të dashurin e saj 24 vjeçar kur vetë ishte 30 e kusur vjeç.

Prandaj, si çdo gjë në jetë, edhe këtu nuk qëndron problemi tek “numrat”.

Problemi qëndron tek aftësia e mashkullit për t’i hyrë një marrëdhënieje serioze, pavarësisht nga mosha, dëshira apo fakti që jemi apo s’jemi ne femra me të cilën ai do ta ndërtojë këtë marrëdhënie kaq herët në jetë.

Kur mbushi 22 vjet, i dashuri im sapo fillonte jetën e tij prej të rrituri, ndërkohë që unë isha gati për t’u martuar dhe për të bërë fëmijë.

Kisha arritur një periudhë në jetën time, në të cilën hallakatjet nuk më nxisnin më. Unë doja një burrë të sigurt, të rritur, që të ishte partneri i jetës time. Prandaj, unë paragjykova aftësinë dhe dëshirën e tij për t’i hyrë një marrëdhënieje për shkak të “moshës” dhe fillova t’i qepem pas.

Mbushja boshllëqet mes bisedave tona, i jepja këshilla kur nuk i kërkonte. I dhashë aq shumë terren pasionit saqë e harrova se çfarë kërkoja në fakt nga jeta ime. U përpoqa shumë për ta bërë atë për vete.

Kjo është pikërisht ajo gjë që nuk funksionon.
Sa më shumë që unë përqendrohesha tek ai dhe tek mundësia për të pasur një jetë së bashku, aq më shumë ai largohej nga unë.

Thellë, thellë, unë nuk e doja që të ishte i imi. Më pëlqente emocioni që më jepte, por jo e gjithë “oferta” kur bie fjala. Nuk kisha dëshirë që të rrija me një “burrë”, i cili duhej ende të “rritej”.

Por unë nuk dija mënyrë tjetër si të rrija me të. E vetmja gjë që më vinte ndërmend ishte që t’i përkushtohesha kësaj lidhjeje, të përpiqesha që ta bëja sa më të vërtetë dhe ta ndihmoja atë që të “rritej”. Nuk e doja atë ashtu siç ishte. E doja ashtu siç mendoja unë se ai mund të ishte një ditë. E doja që të ishte i rritur tashmë.

Edhe burri im i tanishëm nuk ishte krejt i stabilizuar profesionalisht apo financiarisht (edhe ai është pak më i ri se unë). Megjithatë, ishte e qartë se ai e kuptonte se çdo të thoshte të ishe në një marrëdhënie me mua. Ai e dinte se ç’duhet të bënte për të pasur një marrëdhënie me mua dhe e kishte të qartë se i donte të gjitha.

Ky ishte ndryshimi. Pasi e ke kuptuar që një mashkull është i aftë për të ndërtuar një marrëdhënie dhe e kërkon një të tillë, pyetja që duhet bërë është: a je ti ajo me të cilën ky njeri kërkon të ndërtojë një marrëdhënie?

Ne mund ta influencojmë disi rezultatin e kësaj përgjigjeje (si sillemi, koha që shpenzojmë, emocionet, afria, etj), por ama në pjesën më të madh kjo përgjigje nuk varet nga ne. E shtyva larg zemrës time djalin e parë ngaqë thellë në zemër e ndjeja që ai nuk ishte i duhuri për mua. Edhe ai nuk ishte në të njëjtën frekuencë me mua.

Intuita më thoshte se ai ishte tepër i ftohtë emocionalisht për të më bërë mua të lumtur në aspektin afatgjatë. Kisha një ndjesi se duhet ta arrija shpejt atë që kërkoja. Kjo më bënte të ndihesha keq. Unë e di se gjakftohtësia, cilado qoftë situata në të cilën ndodhet marrëdhënia jote, të ndihmon shumë në mbarëvajtjen e gjërave.

Gjakftohtësia nevojitet për një arsye shumë të thjeshtë. Ti ke një marrëdhënie që do ta shpiesh në një nivel tjetër më serioz. Mirëpo ai, partneri, nuk duket se ka të njëjtin entuziazëm si ty. Atëherë ekziston mundësia për të bërë disa gabime.

Gabimi i parë është që të përqendrohesh tek “ngjarjet” dhe jo tek “ndjenjat”.
Meshkujt nuk i përjetojnë gjërat si ne femrat. Nëse një mashkull të prezanton me prindërit e tij apo të kërkon mendim për të blerë një shpi diku, ne menjëherë mendojmë se kjo do të thotë diçka e rëndësishme.

Ne mendojmë se ai po mendon rreth një të ardhmeje së bashku, kështu që shumë shpejt, doemos do të kërkoj një lidhje më serioze. Prandaj ne biem në “rehati”, duke menduar se kjo marrëdhënie patjetër që po shkon diku kur në fakt mashkulli nuk po mendon të njëjtën gjë si ne shumicën e kohës.

Si pa e vënë re, mund të kalojnë muaj, madje vite dhe një ditë të bukur po ky njeri mund të na thotë se ai në fakt asnjëherë nuk ka qenë gati për ndonjë gjë serioze. Pastaj ai na thotë se na do por nuk është ende gati që të na japë atë çka ne kërkojmë në të vërtetë.

Në rastin e Anisës, ajo gaboi kur mendoi se ekskluzive do të thoshte përkushtim serioz. Ajo kishe një burrë ekskluzivisht vetëm për vete por, me të cilin do të takohej vetëm gjatë kohës së lirë. Ajo mendon se ai nuk po takohej me ndonjë tjetër.

Mirëpo ky lloj ekskluziviteti nuk është gjë tjetër veçse një gjendje e përkohshme e mendjes së një mashkulli. Kjo “gjendje mendore” zgjat deri në momentin që ai e kupton se çfarë ndjen për ty dhe se çfarë kërkon për veten. Ekskluzivitet nuk do të thotë përkushtim serioz. Nuk do të thotë aspak se ai do të rrijë me ty dhe vetëm ty gjatë gjithë jetës së vet.

Një mashkull bën atë që do atëherë kur e do. Për të nuk ka rëndësi nëse ekskluziviteti ka zgjatur një muaj, një vit apo edhe dhjetë vjet. Nëse ai nuk ndodhet aty emocionalisht, ai s’ka për t’u ndodhur aty fare.

Për një mashkull, përkushtimi serioz është diçka emocionale. Ekzistojnë disa faza dhe caqe që duhet të kalojnë para se ai të vendosë, të cilat nuk kane asnjë lidhje me kalendarin që po ndjek ti.

Një marrëdhënie nuk duhet të jetë e mundimshme.


E di që kjo gjë tingëllon krejt ndryshe nga ato që ke dëgjuar deri më tani, se duhet të “punosh” për të ndërtuar një marrëdhënie, etj, etj. Nuk është e vërtetë. Marrëdhëniet duhet të jenë të lehta, të pamundimshme. Ato duhet të na bëjnë që të ndihemi më mirë sesa kur jemi jashtë tyre. Jetët tona duhet të jenë më të thjeshta dhe më të lumtura.

Ndonjëherë “planifikimet” marrin epërsi. Ku të shkojmë, çfarë të bëjmë, si ta mbarojmë filan punë apo të zgjidhim filan hall. Ngandonjëherë, sado të “lidhur” emocionalisht që të jemi, dallimet dhe mënyrat e ndryshme të të vepruarit bëjnë që disa gjëra të zgjidhen me marrëveshje. Njësoj si në biznes.

Sidoqoftë, pjesa e “kush je ti, e kush jam unë” duhet të jetë e thjeshtë.
Dhe si për çudi, kjo thjeshtësia me sa duket është shumë e vështirë për t’u pranuar nga ne femrat.
Ne mendojmë kaq shumë dhe duam që të luftojmë fortë për të fituar atë që kërkojmë. Problemi është se gjithë ajo energji, kur shpenzohet për një mashkull, nuk sjell rezultat.

Në fakt, ndodh krejt e kundërta. Nevoja e një mashkulli për të ndenjur me një femër është që jeta e tij të bëhet më e mirë. Ai do që marrëdhënia e tij të jetë e pamundimshme. Kjo do të thotë: e thjeshtë, argëtuese, e lumtur, emocionuese, e shëndetshme, e plotësuar emocionalisht, e thellë.

Kjo gjithashtu do të thotë që ai të ketë mundësi që të ndihet mirë me veten e vet edhe atëherë kur është i mërzitur.
Mund të kuptoni pra se pamja e jashtme dhe personaliteti nuk ndikojnë aspak në zgjedhjen e një mashkulli.

Më poshtë janë dy gjëra që krijojnë atë lidhjen e shëndetshme, të thellë dhe fare të lehtë midis teje dhe atij:


E para. Ti je emocionalisht, fizikisht dhe psikologjikisht e shëndetshme.
Kjo do të thotë që ti e di se kush je, të pëlqen vetja (ose më mirë e dashuron veten tënde) dhe ke një jetë të plotësuar edhe pa të.

E kundërta e kësaj do të ishte në qoftë se atij do t’i krijohej ideja se jeta jote nuk do të vlente pa praninë e tij, se ti je e dëshpëruar, se je emocionalisht boshe dhe ai të nevojitet që të të plotësojë.

E dyta. Ti je e dashuruar pas tij.
Të treguarit e dashurisë pa u treguar nevojtare është një sfidë e madhe për ne femrat, por që na duhet patjetër ta mësojmë.

Kjo do të thotë që ne të ndihemi të sigurta me veten tonë, të përqendrohemi tek vetja jonë dhe njëkohësisht të jemi krejt të hapura ndaj tij. E thënë me fjalë të tjera, kjo do të thotë që të jesh krejt e pambrojtur dhe njëkohësisht shumë e fortë. Edhe pse mund të duket e vështirë, në të vërtetë nuk është.

Ja një zgjidhje konkrete. E pamundimshme.

Hidhi sytë përreth dhomës, kudo që të jesh.
Përpiqu që të fiksosh mendimet që po të kalojnë nëpër kokë.

Nëse ndodhesh në kuzhinë, mendimi mund të jetë “duhet të laj pjatat”. Nëse ndodhesh në dhomën e gjumit, mendimi mund të jetë “ah sikur të ishte burri im këtu”. Po të ndodheshe në punë, mendimi mund të ishte “boh, sa shumë letra paska mbi tavolinë!”

Tani fiksoi ndjenjat e tua.

Për momentin mund të jesh ndjerë sikur do kërcesh nga vendi. Mund të jesh ndjerë si e dembelosur ose mund të jesh ndjerë e gëzuar në varësi të asaj që ke parë.

Tani fiksoje nevojën për të bërë diçka.

A i ndjen shpatullat pak të ngritura, zemrën që të shtyn? Mbase këmbët po të shpien diku për të mbaruar një punë. Ose në qoftë se ndjesia është jo e mirë, atëherë këmbët po të shtyjnë në drejtim të kundërt, për të bërë diçka që të ta heqë mendjen.

Tani rri drejt, pa lëvizur.
Tani thuaji vetes “Po, unë mund të bëj diçka!” (por mos lëviz).
Tani thuaji vetes “Mirëpo, pikërisht në këtë moment nuk kam pse të bëj asgjë.”
Thuaje prapë “Nuk kam pse të bëj ndonjë gjë.”
Tani spërdridhu, sa para mbrapa.

Gjej ekuilibrin me këmbë ndërkohë që rrotullon belin. Spërdridhu me ngadalë dhe imagjinoje veten të fiksuar pas dyshemesë.
Përkuli paksa gjunjët derisa të ndihesh e baraspeshuar sikur të mos kishe nevojë për muskuj dhe kocka në trup. Merr frymë ngadalë dhe nxirre jashtë po me ngadalë. Avash avash. Tani thuaj me zë të lartë nëse mundesh “Kjo është e pamundimshme.” Lëshoje legenin. Imagjino sikur nuk peshon fare dhe po qëndron vetëm në sajë të këmbëve. Kaq!

Bëje disa herë gjatë ditës. Thuaji vetes që marrëdhënia është e pamundimshme. Kur të jesh me partnerin tënd, thuaji vetes që marrëdhënia është e pamundimshme.

Shpërndaje

Related Posts with Thumbnails
blog comments powered by Disqus
Respektoni punën e të tjerëve.
Mos i vidhni artikujt e youalbania.com

Nëse doni të mbushni faqen tuaj me artikuj rreth seksit dhe dashurisë, bëjeni këtë nëpërmjet punës tuaj personale dhe jo duke vjedhur.