Çfarë të bësh kur diçka ose dikush bëhet gjithmonë pengesë

Të ka ndodhur ndonjëherë që të ndodhesh në një situatë të tillë ku ti e di se gjithçka do të ishte e përkryer në marrëdhënien tuaj nëse diçka ose dikush nuk do të bëhej vazhdimisht pengesë? E pra, nuk je e vetmja.

Ja një letër nga Jonida:

Unë quhem Jonida. Unë kam qenë në një marrëdhënie për shtatë vjet me rradhë.

Tani ne kemi katër vjet që jemi ndarë e megjithatë, unë jam ende shumë e dashuruar me të. Kur e shoh, është njësoj si kur e pashë për herë të parë. Nuk jam shumë e sigurt se çfarë na ndodhi. Ne ishim kaq të afërt me njëri-tjetrin. Tama si “mishi me thoin”, kur i thonë.

Para disa vitesh ne pësuam një aksident me makinë. Ai theu nja dy kocka, ndërsa unë pësova një dëmtim të rëndë në tru. Dëmtimi bëri që unë të humbisja shikimin për nja dy vjet. Mbaj mend që ishte shumë tronditëse.

E ndjeja se ishim afruar akoma edhe më shumë pas asaj që na ndodhi, sidomos deri sa mu kthye sërish shikimi dhe unë mund të kthehesha prapë në punë. Pastaj, krejt papritur ai ndryshoi.

Motra e tij (vetëm nga njëri prind), pasi kishte kaluar nëpër nja dy martesa, u transferua në qytet dhe filloi të vizitonte shtëpinë tonë kryesisht kur unë isha në punë. Më përpara unë e kisha takuar vetëm nja dy-tre herë rastësisht, ndërsa tani, kur unë kthehesha në shtëpi nga puna, atë e gjeja aty gati për të ikur. Ai betohej se mes tyre nuk kishte asgjë, megjithatë nuk e thoshte dot pse ajo ishte aty. Pas pak kohësh filloi të krijohej një situatë e tillë ku unë kisha ndjesinë se nuk bëja asgjë siç duhej. Edhe mënyra sesi rrija ishte e gabuar.

Një ditë, u ktheva në shtëpi dhe ne patëm një debat. Unë i thashë atij se “puna kish vajtur deri aty sa as në shtëpi nuk më vihej më”. Nuk zgjati shumë dhe ai iku nga shtëpia. Kjo ndodhi para katër vjetësh.

Ne takohemi ende dhe ai thotë se më do, megjithatë mes nesh nuk ka pasur aspak marrëdhënie romantike. Ai tani jeton me motrën e tij. Kur unë i kërkoj atij që të më flasë dhe të ma thotë të paktën se gjithçka ka marrë fund ose që nuk ka më gjasa që ne të dy të jemi prapë bashkë, ai acarohet, më thotë që më do dhe se kjo gjë nuk ka për të ndryshuar. Pastaj, ai largohet dhe për disa ditë nuk kontakton me mua.

Ajo që më vret më shumë është fakti se fëmijëve të mi i ka marrë malli po aq sa dhe unë. E di që ai në të kaluarën ka pasur probleme me drogën dhe kam frikë mos i është kthyer asaj historie. Maksimumi që mund të bëj është vetëm të mendoj pasi ai nuk flet me mua. Unë e di se fajin nuk e kam vetëm unë, por nuk e di nëse do ta kemi edhe një herë atë që kishim bashkë.

Me respekt Jonida.

Është shumë e thjeshtë ta kuptosh nëpërmjet letrës që Jonida as që e ka idenë e situatës në të cilën ndodhet.

Sidoqoftë, kur ndodhesh brenda, është e vështirë që ta shikosh situatën nga jashtë. Prandaj ty të nevojitet dikush tjetër që të të ndihmojë që të kuptosh.

Jam shumë e lumtur që mund ta ndihmojë Jonidën. Kam mendimin se edhe ti do të gjesh diçka të ngjashme, edhe pse historia e Jonidës është ekstreme, në situatën në të cilën ti ndodhesh tani.

Le ta fillojmë me një analizë të marrëdhënies së Jonidës.

Jonida! Ja ç’po ndodh në të vërtetë:
Ju të dy keni 4 vjet që nuk rrini më bashkë. Ai jeton me një femër tjetër. Ai nuk po tregon në asnjë mënyrë asnjë lloj interesi apo përkujdesje për ty. Fakti që thotë “ të dua”, nuk do të thotë se të do me të vërtetë. Në të vërtetë do të thotë që ti je një femër e mrekullueshme dhe ai nuk do të të lëshojë.

Ai të do ty pikërisht aty ky ti ndodhesh tani, duke u varur pas tij dhe duke e bërë atë që të ndihet i rëndësishëm, ndërkohë që nga ana tjetër ai vazhdon të jetojë një marrëdhënie më se normale, me femrën me të cilën jeton.

Unë e kuptoj shumë mirë se një traumë e tillë e përbashkët siç është aksidenti me makinë mund të krijojë një lidhje të thellë, sidomos kur lidhja ka qenë e fortë edhe më përpara.

Gjithashtu, mesa kuptoj unë, në momentin e parë që ti u bëre e pavarur, ai kërciti takat. Mbase ai ndihej në faj për aksidentin dhe përkujdesja e tij për ty ishte për të larë fajin.

Varësia për një kohë kaq të gjatë do ta bënte cilëndo femër që të krijonte lidhje kaq të fortë me mashkullin nga i cili varet.

E di që është shumë e vështirë, megjithatë ti duhet ta shkëpusësh këtë lidhje që ke me të. Madje ti duhet që mos ta takosh fare më atë person. Shkëput çdo kontakt me të dhe fillo një fazë të re të jetës tënde.

Bota ka shumë meshkuj. Ti duhet që të bëhesh e arritshme për ta. E ndërkohë që je në kërkim të këtyre meshkujve që do të duan të jenë me ty (pa femra të tjera që të pengojnë), ti do zbulosh gjithashtu edhe veten tënde.

Kur të fillosh t’i gjesh të gjitha kanalet të fuqisë tënde shpirtërore, ti do gjesh edhe dashurinë që kërkon.

Patjetër duhet që të jesh e hapur për të gjithë meshkujt e tjerë që mund të të ndihmojnë ty gjatë rrugës tënde drejt dashurisë. Ata do të të duan, do të të japin dhe do të të bëjnë që të ndihesh aq e sigurt sa ra duash veten tënde në praninë e tyre.

Gjithë të mirat.

Ja një letër tjetër nga “në kërkim të shpirtit binjak”, e cila bën vara-vëngo me njërin, duke u ndarë e duke u lidhur prapë i cili e ka të pamundur që ta marrë lidhjen e tyre seriozisht:

Përshëndetje,
Kohët e fundit jam lidhur me këtë djalin (një vit e tre muaj), me të cilin kam qenë e lidhur dikur në gjimnaz. Kur ka qenë adoleshent është lënduar shumë dhe për këtë arsye është betuar se nuk do të lejojë kurrë që t’i thyhet zemra për herë të dytë.

Ne kishim një marrëdhënie të shkëlqyer bashkë. Ne merreshim vesh si shokë të ngushtë. Kishim aq shumë gjëra të përbashkëta saqë është e kotë të thuash se unë rashë në dashuri me të kokë e këmbë.

Problemi ishte se ai nuk ma tha asnjëherë se çfarë ndjente për mua. Unë ia thashë nja dy herë se isha kisha rënë në dashuri me të, zakonisht pas nja dy gotave, ngaqë kisha shumë frikë se mos më refuzonte dhe alkooli më jepte kurajë. Ai nuk mu përgjigj asnjëherë.

Kjo më bënte mua shumë të pasigurt në raport me të dhe unë ja thashë këtë shqetësim. Megjithatë, ai nuk bëri asnjëherë asnjë gjë për ta zgjidhur këtë problem. Për këtë arsye u ndava tre herë me të edhe pse në fakt nuk desha që gjithçka të merrte fund. Unë thjeshtë doja që ai ta kuptonte se çfarë mund të humbte.

Kemi 6 javë që nuk flasim dhe mua më ka marrë mali tmerrësisht shumë. Më dërgoi një mesazh mbrëmë. Edhe pse mesazhi nuk kishte ndonjë përmbajtje me rëndësi për lidhjen tonë, unë prapë së prapë nuk e kuptoj pse ma dërgoi.

Si mund ta bëj që të kthehet tek unë dhe të ketë besim se unë nuk do t’ia thyej zemrën. Unë e dua me gjithë shpirt dhe për herë të parë në jetën time e kam takuar shpirtin tim binjak.

Të lutem më ndihmo!

E dashur “shpirti binjak”,

Të ndahesh me një mashkull pse ai nuk e merr lidhjen seriozisht dhe pastaj të lidhesh prapë nuk është zgjidhje për ta bërë atë që të ndihet më afër me ty.

Meshkujt dërgojnë mesazhe dhe marrin në telefon sepse ndihen të vetmuar dhe i merr malli. Kjo nuk do të thotë aspak se ata kanë nevojë për një marrëdhënie të vërtetë, serioze. Ko do të thotë se ata nuk duan ta humbasin nga jeta e tyre personin tjetër.

E vetmja gjë që djali do nga ty është që ti të jesh e arritshme (e disponueshme).
Ne mendojmë se nëse nuk ka seks dhe ai telefonon, atëherë është e sigurt se ai na do. E vërteta është se meshkujt kanë nevojë për shoqëri dhe lidhje emocionale njësoj si ne femrat.

Ata mund të kenë dëshirë të rrinë me ne, por jo aq shumë dëshirë sa që të angazhohen seriozisht me ne. E thënë me fjalë të tjera, ne mund t’u pëlqejmë atyre, ata mund të na duan, e prapë së prapë të mos jenë të dashuruar me ne. Është e vështirë të dallosh nga letra jote nëse problemi qëndron pikërisht këtu.

Ekziston mundësia që pasiguria jote dhe nevoja jote për të dëgjuar fjalët “të dua”, mund t’i ketë shkaktuar atij një angështi të tillë saqë në vend që afrohet, është larguar më shumë.

Kur ti thua se u ndave me të jo sepse nuk ishe e lumtur, por sepse doje që të kishte efekt tek ai, mua më tingëllon kjo si shtirje. Mos vallë në marrëdhënien tuaj ka pasur pak si shumë shtirje? Pastaj, për ty ka qenë e vështirë që të jesh vetvetja dhe për këtë arsye ke përdorur alkoolin?

Këto nuk t’i them këto që të të lëndoj. Në qoftë se këto që them janë të vërteta, atëherë ti mund t’i ndryshosh.

Në artikujt e tjerë unë them vazhdimisht se sa e rëndësishme është që në radhë të parë mësosh të dashurosh veten tënde dhe të mësosh që ta respektosh atë. Kushtoi vetes tënde vëmendje dhe përkujdesje. Në këtë mënyrë energjia që do të rezatosh do të jetë krejt tjetër.

Pastaj, kur ai të telefonojë (gjë që do ta bëjë me siguri), ti do të jesh një person krejt tjetër. Ti do t’i shfaqësh atij anën e butë të shpirtit tënd.

Edhe ai do të reagojë krejt ndryshe. Madje edhe meshkujt e tjerë do të sillen ndryshe me ty. Do të zbulosh se aty jashtë ka një botë të tërë me meshkuj.

Energjia që do të rrezatosh do të jetë pozitive. Do të ndihesh më e lumtur. Kushdo që do të bjerë në kontakt me ty, do ta ndjejë këtë gjë.

Ai do të dojë që të jetë pranë teje. Provoje dhe ta shohim se çdo të ndodhë.

Ja dhe një letër tjetër nga Xhoana, i dashuri i së cilës është ende i lidhur (emocionalisht) me ish-gruan në një mënyrë shumë të ndërlikuar:

Kam katër vjet që jetoj me të dashurin tim. Ai ka qenë i martuar. Gjatë vitit të parë ai thoshte që mund të kthehej prapë me të.

Unë ika, ajo erdhi. Atyre nuk u shkoi mbarë dhe ne jemi prapë bashkë. Tani unë jam e lënduar dhe kam frikë për çdo lloj marrëdhënieje që ai ka me të.

Ai thotë se do ta ndihmojë atë gjithmonë pasi ajo është mamaja e vajzës dhe gjyshja e nipërve të tij. Ajo është e sëmurë dhe bën dializë 3 herë në javë.

Unë e dua atë njeri por e ndjej se nuk kam më besim tek ai. E urrej veten për jetën që bëj, por e dua dhe nuk dua ta humbas.

Ajo shkakton vazhdimisht telashe, ndërsa ai i sillet gjithmonë njësoj. Tani më ka zënë depresioni dhe nuk dal dot nga kjo gjendje. Nuk kam më dëshirë të bëjë asgjë.

Ai thotë se po tregohet i sinqertë me veten e tij. Po sikur të tregohej pak më i sinqertë me mua dhe marrëdhënien tonë?

Përpiqem që të jem e sjellshme në praninë e saj, pastaj më vjen shumë inat që tregohem aq e sjellshme. E kam shumë problem faljen dhe harresën. Ai gjithashtu ka prirje që të thotë një gjë dhe të bëjë krejt të kundërtën.

Më duket sikur mi fsheh gjërat për të mos shkaktuar “dramë” (situatë e rëndë). Edhe një gjë të fundit. Një nga fëmijët e tij më urren për vdekje ndërkohë që unë nuk i kam bërë asgjë të keqe, përkundrazi vetëm kam dhënë. Ajo do që ata të bashkohen sërish. Unë jam 41 ndërsa ai është 43.

Faleminderit Xhoana.

E dashur Xhoana,
Në letrën tënde ka shumë gjëra për të cilat do të doja të flisja. E para që më bën përshtypje, është ndjesia jote që ai të fsheh gjëra për të mos shkaktuar “drama”.

Pra, ti thua që ti je shkaktarja e “dramave”. Ka gjasa që të jesh me të vërtetë.

Ti je gjithashtu shumë e mërzitur dhe unë të kuptoj plotësisht. Mërzia e madhe të shkakton depresion. Gjithë inatin ia ke drejtuar vetes.

Pyetja është kjo: nëse ky njeri po të shkakton kaq shumë dhimbje dhe njëkohësisht thotë se nuk ka ndërmend të ndryshojë, atëherë pse rri me të?

Dashuria që ke për të nuk është arsye e mjaftueshme.

Nëse ti do të doje njëherë veten tënde para se të doje atë dhe para se të doje që ta ndryshoje, do ta dije me siguri se çfarë duhej bërë.

Le ta lëmë pak mënjanë sjelljen e tij. Nuk ka rëndësi nëse ai po sillet keq apo po sillet mirë. Rëndësi ka si ndihesh ti.

Njerëzit janë të ndryshëm. Shumë prej nesh me çiltërsi mund edhe ti tolerojnë disa situata, të cilat dikë tjetër do ta bënin çmendin fare.

Por ta zëmë se ai e ka të pamundur të ndryshojë, atëherë cilat zgjedhje të mbeten ty? Dikush mund edhe të thotë: “unë këtë nuk e përballoj dot dhe të heqë dorë.”

Me sa kuptoj unë, ai nuk ka për ta braktisur asnjëherë ish-gruan e tij. Të paktën për sa kohë ajo është e sëmurë dhe mua më duket se ajo ka një sëmundje që vazhdon tërë jetën.

Ti mund ta pranosh atë në jetën tënde. Shumë gra do ta bënin. Unë nuk do ta bëja, të paktën jo në atë mënyrë si sillet ai. Por mund edhe mos ta pranosh. Ose mund të zgjedhësh rrugën e tretë.

Rruga e tretë është kjo që do të të them unë. Ti analizojmë njëherë zgjidhjet me rradhë.

E para: Braktisja.

Nëse ti largohesh dhe atë e merr malli, atëherë ai mund të vendosë që të bëjë ç’është e mundur për të të kthyer mbrapsht.

Por, ndërkohë ti mund të jesh njohur me dikë tjetër që nuk i ka këto probleme.

Edhe po nuk erdhi tek ty për t’i rishikuar kushtet, përfshi largimin nga ish-gruaja, ti prapë mund të jesh njohur me dikë tjetër që nuk ka probleme të tilla.

E dyta: Të qëndrosh dhe t’i pranosh gjërat ashtu siç janë.

Pranimi i kushteve ashtu siç të vinë ndodh zakonisht kur ne përpiqemi që ta shikojmë problemin nga këndvështrimi i tij.

Dhembshuria dhe mirëkuptimi janë dy cilësi të mrekullueshme qetësuese, për sa kohë nuk je e detyruar që të sakrifikosh veten tënde, vlerat e tua dhe gjithçka që është e rëndësishme për ty.

Unë e kuptoj gjendjen e tij të vështirë. Braktisja e ish-gruas, nënës së fëmijëve të tij, do t’i dukej atij si poshtërsi. Do ta bënte që të ndihej i keq.

Atij mund t’i duket sikur ndodhet në një situatë të tepër të ndërlikuar dhe duke qenë se ti nuk po e ndihmon (sipas këndvështrimit të tij), atëherë atij nuk i mbetet asnjë zgjidhje tjetër.

Duke qenë se ti je shëndosh e mirë, ndërsa ajo nuk është, ai pretendon se ti duhet të bësh lëshime.

Kjo tingëllon e neveritshme, apo jo?

Të dyja këto zgjidhje nënkuptojnë që për të përmirësuar marrëdhënien ti duhet të kalosh nëpërmjet tij dhe ish-gruas së tij, t’i ndryshosh ata. Mirëpo këta janë faktorë që ti nuk i kontrollon dot. Përpjekja për t’i kontrolluar këta faktorë mund të çmendë këdo.

Më e keqa është se thjeshtë mendimi për t’i kontrolluar këta faktorë shkakton tension. Tensioni e largon atë më shpejt se çdo gjë tjetër që ti mund të besh.

Para se ti të përdorësh ndonjë taktikë për të marrë atë që meriton (vëmendje, besnikëri, vendin e parë, etj), përqendrohu më mirë tek vetja jote.

Puno me depresionin tënd. Kërko ndihmë profesionale nga ndonjë mjek psikiatër (mjekët psikiatër nuk kurojnë vetëm të çmendurit, por edhe njerëzit mendërisht të shëndetshëm) ose bëji vetes tënde këto pyetje: “Pse jam kaq e mërzitur?” “Cilat janë kërkesat e mia?””Nëse unë do t’i kisha gjërat që kërkoj, si do të ishte kjo?”

Nga letra kuptohet që ti je një grua e dashur që po përpiqet që të jetë një grua e mirë duke bërë gjënë e duhur.

Të jetosh me një burrë që ka fëmijë, nipër dhe një ish-grua të pranishme në jetën e tij, natyrisht që krijohen ndjenja të cilat vështirë të menaxhohen.

Më kujtohet një film me titull “Njerka”. Aktorët ishin Xhulia Roberts, Ed Harris dhe Suzan Sarandon.

Sarandon ishte ish-gruaja e Ed Harrisit, ndërsa Xhulia Roberts do të bëhej gruaja e tij. Harrisi dhe Sarandon kishin fëmijë, ndërsa Xhulia Roberts ishte një femër në karrierë që as ia kishte idenë e fëmijëve.

Gjatë filmit ne zbulojmë se Suzan Sarandon po vdiste nga kanceri. Xhulias i duhet që mes të tjerash të durojë vështrimet e serta dhe xhelozinë e Suzanës. Gjithashtu, asaj i duhet të durojë edhe presionin e vazhdueshëm që Suzana ushtron ndaj saj duke i sjellë ndërmend faktin që ajo nuk do të jetë një nënë e mirë për fëmijët e saj. Gjatë rrugës ajo bëhet e ndërgjegjshme për faktin se pas vdekjes së Suzanës, ajo do të bëhet “nënë” me kohë të plotë. Jo vetëm kaq, por pas vdekjes së nënës së tyre fëmijët do të jenë të traumatizuar.

Të gjitha këto janë shumë për t’u përballuar nga një vajzë e re që thjeshtë mendon se po martohet me një burrë të shkëlqyer dhe që me fëmijët e tij mund të takohet ndonjëherë në të rrallë.

E gjithë bota e saj ndryshon. Natyrisht, duke qenë se ky është një film, Xhulia e përballon sfidën me sukses dhe arrin të fitojë respektin e Suzanës.

Pak a shumë, kjo është edhe situata në të cilën ndodhesh ti. Natyrisht që është shumë më tepër sesa ke kërkuar.

Gjithsesi, ti duhet të zgjedhësh.

Harrisi, në film është një njeri model, një baba model, një ish-burrë model dhe një burrë i ri model. Pra, i përkryer.

Burri jot duket tip i lëkundur. Ti nuk e beson atë. Ti nuk beson atë që ai thotë. Kështu që për ty është e vështirë të kuptosh se ç’po ndodh.

Ky është realiteti-nëse nuk arrin dot që ta kuptosh, atëherë nuk të mbetet gjë tjetër veç se të largohesh.

Por, para se të marrësh vendime, bën mirë që të fillosh nga vetja. Në artikujt e tjerë të kategorisë “relationship” (marrëdhënie) tregohet si të flasësh me një mashkull, ti tregosh atij atë që ndjen, të ruash respektin për veten dhe ta bësh atë që të të respektojë dhe të të dashurojë.

Bli ndonjë libër të mirë këshillues për marrëdhëniet dhe lexoje me qetësi.

Kur një mashkull e ndjen se ndaj tij nuk po ushtrohet më trysni dhe se askush nuk po i thotë se të gjitha fajet i ka ai, shpesh ndodh që të ndryshojë menjëherë sjelljen e tij.

Mëso si ta mbash fokusin tek vetja jote dhe jo tek ai. Kështu do t kesh rezultate të shkëlqyera.
Related Posts with Thumbnails
blog comments powered by Disqus
Respektoni punën e të tjerëve.
Mos i vidhni artikujt e youalbania.com

Nëse doni të mbushni faqen tuaj me artikuj rreth seksit dhe dashurisë, bëjeni këtë nëpërmjet punës tuaj personale dhe jo duke vjedhur.